Përurimi i Ambasadës së re të Republikës së Sllovenisë në Tiranë

Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Dr. Nataša Pirc Musar dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj duke përuruar ambientet e reja. | Autori Nebojša Tejić/STA
Në ceremoni morën pjesë të dy delegacionet presidenciale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, krerët e misioneve diplomatike në Tiranë, komuniteti slloven në Shqipëri, si edhe shumë personalitete të shquara shqiptare.
Në fjalën e saj, Presidentja dr. Pirc Musar theksoi se hapja e ambienteve të reja simbolizon forcimin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve, të cilat tashmë janë shndërruar në një partneritet të fortë të bazuar në respektin reciprok, vlerat dhe synimet e përbashkëta. Pas prerjes së shiritit në mjediset e reja, ajo dhe presidenti Begaj vizituan ambasadën, të shoqëruar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Inaugurimi u shoqërua me koncertin e një kuinteti të muzikës së dhomës drejtuar nga violinistja e shquar dhe drejtore e Festivalit të Muzikës së Dhomës në Durrës, znj. Nevila Kalaja Herczegh.
Në mbrëmje, të dy presidentët ndoqën premierën e veprës ˝Sonatina˝, një pjesë muzikore klasike e kompozuar nga kompozitori slloven Bojan Adamič në vitin 1947 në Tiranë. Kjo vepër u interpretua nga orkestra e Radio Televizionit Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Simon Kreçiç, drejtor artistik i Operës së Teatrit Kombëtar Slloven në Maribor.