Kaloni te përmbajtja

Kërkesat për vizë

Nënshtetasit shqiptarë, që kanë një pasaportë biometrike të vlefshme, nuk kanë nevojë për vizë qëndrimi afatshkurtër për të hyrë në Slloveni.

Tarifat konsullore mund të paguhen në Ambasadë në para të gatshme (cash) euro.

Politika për vizat Shengen dhe vizat e tjera

Si nënshkruese e Marrëveshjes së Shengenit, Sllovenia zbaton politikën e përbashkët të vizave të BE-së. Regjimi i vizave që ajo aplikon është pjesë e acquis communautaire të Bashkimit Evropian, i ndarë në vende shtetasit e të cilëve kanë nevojë për vizë për të hyrë në Republikën e Sllovenisë, si dhe në vende shtetasit e të cilëve nuk kanë nevojë për vizë.

Misionet diplomatike dhe konsullore sllovene lëshojnë viza Shengen (A dhe C) dhe viza kombëtare (D). Për t'u pajisur me vizë, shtetasi i vendit të tretë duhet të paraqesë dokumentacionin e kërkuar dhe të përmbushë kërkesat e përcaktuara me ligj.

Vizat afatshkurtra (C dhe A)

Vizat e Tipit A

Vizat tranzite të aeroportit “A” iu lëshohen të huajve kur kalojnë zonën e tranzitit ndërkombëtar të një aeroporti, që ndodhet në territorin e Shteteve Anëtare në tranzit, dhe që nuk hyjnë në Zonën Shengen. Kjo lloj vize u jepet vetëm shtetasve të vendeve të listuara në Aneksin IV të Rregullores (EC) Nr. 810/2009 – Kodi i Vizave.

Vizat e Tipit C

Viza e tipit C është një leje hyrjeje e lëshuar për një nënshtetas të një vendi të tretë, për të ashtuquajturin qëndrim të shkurtër (deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore). Numri i ditëve të lejuara mund të llogaritet me anë të një llogaritësi online. Viza lëshohet në formën e një etikete të ngjitur në një pashaportë të vlefshme.

Si lexohen etiketat e vizave?

Një aplikim për vizë duhet të dorëzohet në mënyrë specifike në shtetin Shengen që është destinacioni kryesor i udhëtimit. Kjo lloj vize mund të lëshohet edhe nga shtete të tjera Shengen në emër të Sllovenisë, me kusht që Sllovenia të ketë lidhur një marrëveshje përfaqësimi me to.

Në përputhje me nenin 22 të Rregullores (KE) Nr. 810/2009, shtetasit e disa vendeve të treta i nënshtrohen konsultimeve paraprake me autoritetet qëndrore të shteteve të tjera anëtare.

Për t'u pajisur me vizë nga një mision diplomatik ose konsullor slloven është e nevojshme të dorëzoni aplikimin e mëposhtëm për vizë,  dokumentacionin e kërkuar, si dhe të jepni shenjat e gishtave.

Lista e dokumentacionit bazë:

  • Një pasaportë me të paktën dy faqe bosh. Pasaporta duhet të jetë lëshuar brenda 10 viteve të fundit. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën 3 muaj përtej datës në të cilën keni ndërmend të largoheni nga Zona Shengen, ose, në rastin e udhëtimeve të shpeshta, përtej datës në të cilën keni ndërmend të largoheni pas qëndrimit të fundit;
  • Një formular aplikimi për vizë i plotësuar dhe i nënshkruar.  Çdo person që shfaqet në dokumentin tuaj të udhëtimit duhet të plotësojë një formular të veçantë aplikimi. Formulari i aplikimit për vizë për një fëmijë nën 18 vjeç duhet të nënshkruhet nga njëri nga prindërit ose kujdestari ligjor;
  • Një fotografi e kohëve të fundit sipas standarteve ICAO;
  • Në vendet ku funksionon Sistemi i Informacionit të Vizave, gjurmët e gishtërinjve tuaj do t'ju merren, kur të dorëzoni aplikimin tuaj (ekzistojnë përjashtime për kategori të veçanta aplikantësh);
  • Tarifa për vizë duhet të paguhet në momentin kur dorezoni aplikimin tuaj;
  • Duhet paguar një tarifë shërbimi, nëse ju kërkohet të dorëzoni aplikimin tuaj në zyrat e një ofruesi shërbimesh;
  • Sigurimi mjekësor i udhëtimit duhet të mbulojë ndihmën mjekësore urgjente, shtrimin në spital dhe riatdhesimin (përfshirë rastet e vdekjes). Mbulimi minimal duhet të jetë 30,000 euro. Ky sigurim duhet të mbulojë të gjithë zonën Shengen gjatë gjithë kohëzgjatjes së qendrimit; 
  • Letër Garancie ose Ftesë e nënshkruar nga personi/kompania/organizata që ju ka ftuar në Slloveni dhe që duhet të jetë e çertifikuar dhe e regjistruar në njësinë administrative përkatëse në Slloveni;
  • Dokumente të ndryshme në lidhje me qëllimin e qëndrimit tuaj, dëshmi të mjeteve financiare për qendrimin tuaj dhe për akomodimin.

Dokumentacioni mbështetës

Dokumentet mbështetëse që duhet të dorëzojnë aplikantët për viza qëndrimi afatshrkurtër në Shqipëri.

Tarifat

  • 120 euro – qytetarët e Gambias në përputhje me Vendimin Zbatues të Këshillit (BE) 2022/2459, dt. 8 dhjetor 2022, mbi aplikimin e një tarife të rritur vize për Gambian.
  • 80 euro – përsonat mbi 12 vjeç.
  • 40 euro – fëmijët nga mosha 6 deri në 12 vjeç.
  • 35 euro – nënshtetasit e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusisë, BeH, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Ukrainës.
  • 60 euro – nënshtetasit e Kepit të Gjelbër, në përputhje me Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kepit të Gjelbër për lehtësimin e dhënies së vizave me qëndrim afatshkurtër për qytetarët e Republikës së Kepit dhe të Bashkimit Evropian.

Disa aplikantë për vizë janë të përjashtuar nga tarifa e vizës sipas Kodit të Vizave dhe Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave

Gjithashtu, disa kategori të qytetarëve bjellorusë janë të përjashtuar nga pagesa e tarifave të vizave. Për informacion më të detajuar, mund të lexoni Marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Bjellorusisë për lehtësimin e pajisjes me viza, duke marrë në konsideratë që zbatimi i marrëveshjes së sipërpërmendur është pezulluar përkohësisht, që nga dt. 11 nëntor 2021, në përputhje me Vendimin e Këshillit (BE) 2021/1940, dt. 9 nëntor 2021, mbi pezullimin e pjesshëm të zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Bjellorusisë për lehtësimin e dhënies së vizave.

Vendet ku mund të aplikoni për vizë afatshkurtër

Ju mund të aplikoni në Ambasadën e Sllovenisë në Tiranë.

VIS (Sistemi i Informacionit të Vizave të BE-së)

Gjatë procedurës së vizës, aplikanti duhet të japë shenjat e 10 gishtërinjve për t'u identifikuar në sistemin VIS, si edhe  një fotografi. Të dhënat ruhen për 5 vjet nga përfundimi i procedurës. Sistemi është krijuar për të lehtësuar identifikimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet Shteteve Anëtare.

Ju mund të kërkoni një rishikim, modifikim ose fshirje të të dhënave nga VIS.

Anëtarët e familjes së nënshtetasve të BE-së, subjekt i Direktivës 2004/38/EC

Anëtarët e familjes së qytetarëve të BE-së, që kanë ushtruar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë (që do të thotë se një qytetar i BE-së banon në një shtet anëtar të ndryshëm nga vendi i tij ose i saj i origjinës, ose që udhëton në një shtet tjetër anëtar) përfitojnë disa lehtësira procedurale.

Kërkesat themelore që aplikanti të merret parasysh në këtë kategori përfshijnë:

  • Një nënshtetas i BE-së ka ushtruar të drejtën e tij/saj për lëvizje të lirë
  • Anëtari i familjes (kërkuesi) i përket njërës prej kategorive të përfshira në Direktivën 2004/38/EC
  • Një anëtar i familjes (aplikanti) që shoqëron ose bashkohet me një shtetas të BE-së në destinacionin e Zonës Shengen

Anëtarët e familjes së shtetasve të BE-së që janë subjekt i Direktivës 2004/38/EC kanë të drejtë:

  • Trajtim prioritar në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e aplikimit, në rast se kërkohet afati kohor
  • Përpunimi i aplikimeve për viza pa pagesë
  • Përpunimi i aplikimeve për viza sipas një procedure të shpejtë

Viza afatgjatë (D)

Viza e tipit D është një leje hyrje dhe qëndrimi jo më pak se 90 ditë dhe jo më shumë se një vit, e cila i lejon mbajtësit, në përputhje me dispozitat e ligjit për të huajt, të aplikojë për leje qëndrimi drejtpërdrejt në njësinë administrative, në rastet e justifikuara. Viza e tipit D nuk mund të zgjatet. Aplikimi për këtë lloj vize mund të bëhet nga nënshtetas të vendeve të treta, që i përkasin njërit prej grupeve të përcaktuara në nenin 20 të ligjit për të huajt. Shtetasit e vendeve të treta që vijnë nga vende pa viza mund të aplikojnë gjithashtu për një vizë D.

Në mënyrë që të pajiseni me vizë D, është e rëndësishme që të dorëzoni formularin e aplikimit për vizë dhe dokumentat e kërkuar.

Dokumentat bazë për vizën e tipit D:

  • Formulari i plotësuar i aplikimit për vizë qëndrimi afatgjatë (D)
  • Një pasaportë e vlefshme
  • Fotografi me përmasat 45x35 mm, sipas standarteve ICAO
  • Sigurimi mjekësor i udhëtimit (i cili mbulon koston e shërbimeve mjekësore dhe riatdhesimit të paktën deri në 30,000 euro për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së vizës)
  • Pagesa e tarifës së vizës prej 77 eurosh, përveç rasteve kur aplikanti është anëtar i ngushtë i familjes së një shtetasi të Republikës së Sllovenisë, ose i një shteti tjetër anëtar të BE-së
  • Dokumentet specifike (më poshtë) për të demonstruar qëllimin e qëndrimit afatgjatë

Gjatë procesurës së dhënies së vizës së tipit D për bashkim familjar, kryhet një intervistë e njëkohshme me aplikantin për vizë (në Ambasadë) dhe bashkëshortin ose partnerin në Slloveni (në Njësinë Administrative) për të vërtetuar vlefshmërinë e martesës.

Leja e qëndrimit për të huajt, në Republikën e Sllovenisë

Një i huaj që dëshiron të qëndrojë në Republikën e Sllovenisë për arsye të ndryshme nga ato të lejuara në bazë të vizës, duhet të pajiset me një leje qëndrimi. Leja e qëndrimit i lejon mbajtësit të hyjë dhe të qëndrojë në vend, për një periudhë të caktuar kohore dhe për një qëllim të caktuar, ose qëndrim për një kohë të pacaktuar, në rast se plotësohen kushtet për qëndrim të përhershëm. Kushtet për dhënien e lejes përcaktohen në ligjin për të huajt. Autoriteti kompetent vendimmarrës është Njësia Aministrative. Leja e parë e qëndrimit në Republikën e Sllovenisë lëshohet si leje qëndrimi e përkohshme dhe duhet të merret nga një i huaj përpara se të hyjë në vend (më shumë informacion në Infotujci.si).

Informacion për mbrojtjen e të dhënave personale

Të dhënat personale përpunohen për qëllime të aplikimit për vizë, me anë të procedurave administrative. Të dhënat tuaja futen në Sistemin Kombëtar të Informacionit të Vizave të Republikës së Sllovenisë, ku ruhen për pesë vjet pas skadimit të vizës, ose, në rast se viza nuk lëshohet, pesë vjet pas vendimit përfundimtar për refuzimin e vizës. Të dhënat tuaja gjithashtu do të futen dhe do të ruhen në Sistemin e Informacionit të Vizave (VIS) për maksimumi pesë vite, gjatë të cilave do të jenë të aksesueshme nga autoritetet e vizave dhe autoritetet përgjegjëse për zbatimin e vizave në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duke përfshirë autoritetet e imigracionit dhe azilit në Shtetet Anëtare të BE-së.

VFS Global përpunon të dhënat personale në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë dhe është e detyruar nga klauzola standarde kontraktuale për të siguruar të njëjtin standard të mbrojtjes së të dhënave personale si Ministria e Punëve të Jashtme.

Kontrolluesi i të dhënave personale të përpunuara në procedurat e vizave është Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë, Prešernova cesta 25, 1000 Ljubljana, Slovenia, T: 01 478 2000, E: gp.mzez@gov.si.

Ju mund të kontaktoni Zyrtarin për Mbrojtjen e të Dhënave në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë në dpo.mzez@gov.si.   

Ju keni të drejtë të bëni një ankesë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale te Komisioneri i Informacionit të Republikës së Sllovenisë (në Sllovenisht), Dunajska cesta 22, 1000 Ljubljana, Slovenia.